Më datë 18 shtator 2025, në sallën e mbledhjeve të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH), u zhvillua mbledhja e parë e Bordit të ri Editorial të Buletinit të Shkencave Gjeologjike (BSHGJ), duke shënuar nisjen e mandatit trevjeçar, i cili do të udhëheqë procesin editorial të periodikut deri në vitin 2028. Përveç stafit të SHGJSH, morën pjesë edhe përfaqësues nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave (FGJM) dhe nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Adrian Bylyku, i cili theksoi rëndësinë e krijimit dhe funksionimit të Bordit në përputhje me standardet bashkëkohore, si dhe rolin kyç që ka në ruajtjen e traditës dhe avancimin e cilësisë shkencore të publikimeve.
Duke filluar nga ky vit, Bordi Editorial në përbërje të re do të ketë një vizion të qartë për zhvillimin e mëtejshëm të Buletinit, një periodik shkencor me traditë që nga viti 1964, i cili ka shërbyer si platformë për publikimin e rezultateve më të reja shkencore në fushën e gjeologjisë, gjeoshkencave dhe disiplinave të afërta. Synimi kryesor i Bordit është të sigurojë vazhdimësinë e cilësisë dhe rritjes së ndikimit shkencor të Buletinit, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, nëpërmjet strukturave funksionale dhe bashkëpunimit institucional me qendrat studimore të rëndësishme.
Fokus i kësaj mbledhjeje ishte diskutimi mbi drejtimin e ardhshëm të që do marrë Buletini i Shkencave Gjeologjike, me synimin për të nxitur rritjen e cilësisë shkencore të Buletinit. Përmes propozimeve dhe diskutimeve u analizua ndikimi i përvojës së deritanishme, rregullave institucionale dhe impaktit ndërkombëtar, për një qasje të zgjeruar në përmbajtje dhe përfaqësim të autorëve të rinj.