RISPECT
(Projekti i Skemës Rajonale të Inovacionit për Kapacitetet dhe Teknologjitë e Kërkim-Zbulimit)

Në datën 16.12.2025, në ambientet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH), u zhvillua “workshopi” i parë në kuadër të projektit RISPECT (Regional Innovation Scheme Project for Exploration Capacity and Technologies). Aktiviteti u organizua nga Qendra Rajonale e Inovacionit për Lëndët e Para EIT në Shqipëri dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.


Projekti RISPECT, i financuar nga EIT Raw Materials (https://eitrawmaterials.eu/), synon të kontribuojë në përmirësimin e kapaciteteve të eksplorimit të mineraleve në rajonet RIS — Ukrainë, Shqipëri, Greqi dhe Poloni — përmes zhvillimit dhe zbatimit të teknologjive inovative të eksplorimit gjeologjik. Ky projekt bashkon shtatë institucione partnere nga katër vende dhe paraqet tre risi kryesore teknologjike: përdorimin e imazheve sintetike satelitore hiperspektrale, aplikimin e radarit tokë-penetrues (Ground Penetrating Radar), dhe zhvillimin e një platforme të inteligjencës artificiale (IA) nga kompania SAISLAB, që mundëson eksplorimin në kohë reale.


Workshopi u hap me fjalët përshëndetëse të Drejtorit të Përgjithshëm të SHGJSH, z. Adrian Bylyku, dhe të Drejtores së Qendrës Rajonale të Inovacionit për Lëndët e Para EIT në Shqipëri, znj. Ledi Moisiu. Gjatë aktivitetit, përfaqësuesit e dy institucioneve shqiptare partnere prezantuan temat kryesore të projektit, rolin dhe veprimtarinë e institucioneve vendase, si dhe mundësitë për aplikimin e teknologjive RISPECT në Shqipëri.
Në përfundim, z. Jeton Pekmezi demonstroi përdorimin e dronëve në kërkimet gjeoshkencore, një prezantim që ngjalli interes të veçantë te pjesëmarrësit.