Misioni i SHGJSH
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ushtron aktivitetin e tij në fushën e gjeoshkencave në bazë të ligjit Nr. 8366, miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 02.07.1988, i cili e njeh atë si këshilltar teknik e shkencor i shtetit në fushën e gjeoshkencave.

Ky institucion i ka fillimet në vitin 1922, kur u krijua Zyra Gjeologjike, pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Punëve Botore, me kryegjeolog çeko-austriakun Dr. Ernst Nowack. Pas një veprimtarie shtatë vjeçare, veprimtaria e kësaj zyre nuk evidentohet më në dokumentacionin zyrtar, dhe është viti 1952 kur ringrihet Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.

Me 92 vitet e ekzistencës së tij, SHGJSH mund të konsiderohet institucioni më i vjetër i vendit tonë.
Janë disa fushat në të cilat Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ushtron veprimtarinë e tij. Puna e tij ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit. Kështu, studimi dhe monitorimi i ujrave nëntokësorë ndikon në menaxhimin e rezervave ujore duke siguruar një furnizim me ujë të popullatës dhe ekonomisë e duke parashikuar të gjitha masat për ruajtjen e kolektorëve ujëmbajtës nga dëmtimi dhe ndotja. Një bashkëpunim korrekt i qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale me institucionin tonë është thelbësor në zgjidhjen e kërkesës për ujë.

Studimet e gjeologjisë civile janë një pikë mjaft e rëndësishme në programin e veprimtarisë. Zhvillimi i infrastrukturës, kërkesa për ndërtime të reja si nga individët ashtu edhe nga biznesi, shtrojnë para së gjithash nevojën e sigurisë për jetëgjatësinë e tyre dhe, një ndër faktorët - e pa frikë ai më themelori - është qëndrueshmëria e terrenit. Të gjitha problemet që po evidentohen sot në shembjen e banesave, pikësëpari kanë ndodhur si rezultat i neglizhimit të gjeologut në pjesën dërrmuese të rasteve, apo të injorimit të projektit gjeologjik në raste të tjera. Në këtë kuptim, roli i SHGJSH është ai i një institucioni të sigurisë kombëtare. Marrja parasysh e rolit të SHGJSH ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurinë e investimit dhe të jetës njerëzore.

Në këtë kuadër, vëzhgimet, monitorimet dhe studimet tona janë shtrirë në të gjithë territorin dhe përfshijnë një periudhë të pandërprerë shumëvjeçare. Ato përmbledhin një territor që nga majat e larta e deri në vijën bregore. Çdo fenomen që përbën rrezik rrëshqitjeje, subsidence, shkarjesh, erozioni lumor e detar është paraqitur në harta të shkallëve të ndryshme.

Lëndët e para janë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Që në ditën e parë të krijimit, në vitin 1922, detyra e Shërbimit Gjeologjik ishte ajo e evidentimit dhe efiçencës së burimeve natyrore të nëntokës shqiptare. Çdo minierë e vendit tonë ka qenë rezultat i punës të kërkim-zbulimit të kryer nga ana jonë. Në institucionin tonë janë inkuadruar specialistë me mjaft përvojë në këtë drejtim. Ne mund të ofrojmë konsulencë mjaft cilësore në çdo drejtim për zgjerimin e prespektivës së vendburimeve të mineraleve metalore, naftës e gazit, materialeve të ndërtimit, lëndëve të para për industrinë kimike etj.
E gjithë puna jonë është përmbledhur në një arkivë kolosale e cila mban materiale me shtrije të gjërë në hapësirë e kohë. Harta të shkallëve e qëllimeve të ndryshme janë realizuar për të gjithë territorin e vendit. Një pikë e rëndësishme ka qenë për ne kualifikimi i vazhdueshëm i specialistëve, i cili është realizuar si nëpërmjet shkëmbimit të përvojës brenda institucionit ashtu edhe nëpërmjet kualifikimeve në institucione shkencore universitare brenda e jashtë vendit. E gjithë kjo po shoqërohet me përmirësimin e teknologjisë së mbledhjes, përpunimit e analizimit tët të dhënave.

Cilësia e punës sonë ka bërë që në Prill të vitit 2007 Shërbimi Gjeologjik Shqiptar të fitojë statusin e anëtarit të EuroGeoSurveys, organizatës së bashkimit të Shërbimeve Gjeologjike Europiane.