VEPRIMTARIA MINERARE E KËRKIM-ZBULIMIT
Veprimtaria minerare e kërkim-zbulimit në Republikën e Shqipërisë zhvillohet në zbatim të Ligjit Nr.10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, akteve nënligjore (VKM), Urdhrave dhe Udhëzimeve të Ministrit të miratuara në zbatim të tij.
MBIKËQYRJA DHE MONITORIMI I VEPRIMTARIVE MINERARE TË KËRKIM-ZBULIMIT
Mbikëqyrja dhe monitorimi i veprimtarive minerare kryhen nga ministria (MIE) dhe nga strukturat përgjegjëse, në varësi të saj. (neni 43 i ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar).
Struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe monitorimi i veprimtarive minerare të kërkim-zbulimit në zbatim të VKM nr. 232 datë 23.03.2011 “Për miratimin e funksioneve të strukturave përgjegjëse në sektorin minerar të Republikës së Shqipërisë”, pikat 1 dhe 4, është Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.
LEJET MINERARE TË KËRKIM-ZBULIMIT
Llojet e lejeve minerare të kërkim-zbulimit:
1. Leje minerare kërkim-zbulimi për grupin e mineraleve metalorë, jometalorë, qymyret dhe bitumet.
2. Leje minerare kërkim-zbulimi për grupin e mineraleve ndërtimorë.
3. Leje minerare kërkim-zbulimi për grupin e mineraleve radioaktivë.
-Grupet e mineraleve përcaktohen sipas Aneksit të Ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Sipërfaqja e lejuar për një leje minerare kërkim-zbulimi:
a- Për grupin e mineraleve metalorë, jometalorë, qymyret dhe bitumet, si dhe grupin e mineraleve radioaktivë jepet për një zonë të lejuar që është një e tërë, jo më e vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të sipërfaqeve të lejeve minerare sipas programit të veprimit, dhe jo më të madhe se 100 km2.
b- Për grupin e mineraleve ndërtimorë jepet për një zonë të lejuar, që është një e tërë, jo më e vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të sipërfaqeve të lejeve minerare, sipas programit të veprimit dhe jo më e madhe se 10 km2.
Afati i lejes minerare të kërkim-zbulimit:
a- Për grupin e mineraleve metalorë, jometalorë, qymyret dhe bitumet si dhe grupin e mineraleve radioaktivë:
1. Leja e kërkim-zbulimit ka afat vlefshmërie 3-vjeçar. Afati i vlefshmërisë mund të zgjatet 2 herë, me kërkesë të zotëruesit të lejes. Çdo zgjatje ka afat 1-vjeçar.
2. Kërkesa për shtyrje afati duhet të paraqitet së paku 30 ditë kalendarike para mbarimit të afatit fillestar të vlefshmërisë. Afati i aplikimit është prekluziv dhe, me kalimin e tij, zotëruesi i lejes minerare humbet të drejtën e aplikimit për shtyrje të afatit të lejes së kërkim - zbulimit.
3. Zgjatja e afatit miratohet vetëm nëse zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit paraqet të dhëna për mundësinë e zbulimit të një trupi minerar, ka plotësuar më parë detyrimet financiare, të parashikuara në programin minimal të punës, dhe investimet në afatet kohore, sipas programit të punës, në përputhje me lejen e dhënë, ka bërë pagesën për sipërfaqen e zonës që kërkon të mbajë për veprimtari kërkim-zbulimi, 150 000 lekë/km2.
4. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit është i detyruar të shpenzojë një vlerë të caktuar monetare për çdo kilometër katror të sipërfaqes së përcaktuar në lejen minerare, në mënyrë progresive për kryerjen e punimeve, sipas tabelës së përcaktuar në VKM nr. 364, datë 04.05.2011. Në rast se nuk shpenzohet vlera e përcaktuar, atëherë pjesa e mbetur i kalon Buxhetit të Shtetit.
b- Për grupin e mineraleve ndërtimorë: Leja e kërkim-zbulimit ka afat vlefshmërie 1 vit nga hyrja në fuqi e saj.
Të drejtat e zotëruesit të lejes minerare të kërkim-zbulimit:
1. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit ka të drejtë:
a) Të hyjë në zonën e lejuar me punonjësit, mjetet, makineritë, pajisjet, që janë të nevojshme për kryerjen e punimeve të kërkim-zbulimit të mineraleve mbi ose nën sipërfaqen e tokës;
b) Të kryejë veprimtari kërkim-zbulimi minerar dhe të kryejë punime të nevojshme për këtë qëllim, përfshirë puse kërkimi, transhe, si dhe punime të tjera kërkim-zbulimi të domosdoshme për kërkim-zbulimin minerar;
c) Të nxjerrë, të lëvizë dhe të transportojë nga zona e lejuar provat e mineraleve në sasi për qëllime studimore e jo për tregti.
2. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit ka të drejtën e shndërrimit ndaj kërkuesve të tjerë për të përfituar një ose më shumë leje shfrytëzimi, për zona të lejuara shfrytëzimi brenda zonës së lejuar të kërkim-zbulimit.
3. E drejta e shndërrimit mund të ushtrohet gjatë gjithë afatit të vlefshmërisë së lejes së zbulimit dhe për një periudhë prej 60 ditësh kalendarike pas përfundimit të këtij afati dhe vetëm nëse zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit ka plotësuar më parë detyrimet financiare për lejen e kërkim-zbulimit.
4. Nëse leja e kërkim-zbulimit shndërrohet në një ose disa leje shfrytëzimi përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë, detyrimet financiare për lejen e transformuar llogariten duke marrë parasysh edhe detyrimet e paguara.
Detyrimet e zotëruesit të lejes minerare të kërkim-zbulimit:
a- Detyrimet e zotëruesit të lejes së kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalorë, jometalorë, qymyret dhe bitumet, si dhe për grupin e mineraleve radioaktivë: Përcaktohen në nenet 13 dhe 36 të ligjit Nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
b- Detyrimet e zotëruesit të lejes së kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve ndërtimorë: Përcaktohen në nenet 20 dhe 36 të ligjit Nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
c- Detyrimet e zotëruesit të lejes së kërkim-zbulimit për rehabilitimin e zonës së lejuar minerare. Përcaktohen në nenin 37 të ligjit Nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Kushtet e përfitimit të lejeve minerare të kërkim-zbulimit:
Leje minerare kërkim-zbulimi u jepen subjekteve, personave juridikë, vendas apo të huaj, që:
· Nuk kanë humbur të drejtën për t'u pajisur me një licencë minerare;
· Kanë aftësitë teknike të nevojshme;
· Kanë përvojë në fushën minerare;
· Paraqesin një projekt të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit në përputhje me rregullat teknike;
· Paraqesin një plan rehabilitimi të mjedisit në përputhje me rregullat e mbrojtjes së mjedisit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi dhe me rregullat teknike minerare;
· Paraqesin një plan të mbylljes së veprimtarive minerare, një plan të menaxhimit të mbetjeve, që janë pjesë të planit të rehabilitimit të mjedisit, të përshtatshëm e në përputhje me rregullat teknike minerare dhe të mjedisit;
· Paraqesin sigurinë e nevojshme financiare për ushtrimin e së drejtës minerare të kërkuar.
Procedurat e dhënies së lejeve minerare të kërkim-zbulimit.
1. Leja minerare e kërkim-zbulimit jepet nga Qendra Kombëtare e Biznesit sipas përcaktimeve të nenit 30 të ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Aplikimi për leje minerare kërkim-zbulimi bëhet on-line në portalin e-albania ose në sportelet e QKB.
3. Subjektet ose personat juridikë, vendas apo të huaj të interesuara për përfitimin e lejes minerare të kërkim-zbulimit për një zonë të lejuar minerare të miratuar në planin vjetor si zonë e hapur, pas aplikimit të bërë në QKB, pajisen me leje minerare sipas procedurës “I pari në kohë, i pari në të drejta”.
4. Subjektet ose personat juridikë, vendas apo të huaj të interesuara për përfitimin e një leje minerare kërkim-zbulimit për një zonë të lejuar minerare të miratuar në planin vjetor si zonë minerare konkurruese, pajisen me leje sipas procedurës së konkurrimit publik. VKM nr.320,_date_21.04.2011_zonat_konkuruese.
· Subjekti i interesuar i kërkon Grupit të Punës të Hartimit të Dokumentacionit të Ministrisë përgjegjëse (MIE) futjen në procedurë konkurrimi të zonës minerare konkurruese për të cilën kërkon të pajiset me leje minerare kërkim-zbulimi.
· Në zbatim të VKM nr. 320, datë 21.4.2011 “Për miratimin e procedurave e të kritereve të konkurrimit dhe të afateve të shqyrtimit të kërkesave për marrjen e lejeve minerare në zonat konkurruese”, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë zhvillohet procedura konkurruese dhe nga komisioni i shqyrtimit të ofertave i ngritur me Urdhër të Ministrit, shpallet fituesi.
· Subjekti fitues i procedurës konkurruese në përputhje me afatet e përcaktuara në pikën 1, germa a të VKM nr. 320, datë 21.4.2011 fiton të drejtën e aplikimit për pajisje me leje minerare kërkim-zbulimi.
5. Dokumentacioni i aplikimit për leje minerare kërkim-zbulimi duhet të jetë në format elektronik sipas kërkesave të VKM nr. 942, datë 17.11.2010 “Për miratimin e procedurave dhe të dokumentacionit për marrjen e lejeve minerare në zonat e hapura”, i konsoliduar.
6. Vlerësimi i kushteve të lejimit për pajisje me leje minerare bëhet në zbatim të ligjit nr. 10304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, neni 29; si dhe VKM nr.942, datë 17.11.2010 "Për miratimin e procedurave dhe dokumentacionit për marrjen e lejeve minerare në zonat e hapura", të ndryshuar, pika 4.
7. Projekti i zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit mbi bazën e të cilit aplikohet për leje minerare kërkim-zbulimi, hartohet sipas kërkesave të Urdhrit të Ministrit nr. 304, datë 13.04.2011 “Për miratimin e formës dhe përmbajtjes së projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare”, anekset 1 dhe 3.
8. Verifikimi në terren i zonës minerare për të cilën një subjekt ose persona juridik, vendas apo i huaj i cili ka aplikuar në QKB për pajisje me leje minerare kërkim-zbulimi, kryhet nga grupi i punës së Drejtorisë së Burimeve Minerale të Sh.Gj.Sh, në zbatim të VKM nr. 942, datë 17.11.2010 “Për miratimin e procedurave dhe të dokumentacionit për marrjen e lejeve minerare në zonat e hapura”, i konsoliduar, aneksi 2, pas kryerjes së pagesës sipas tarifave të miratuara nga subjekti ose personi juridik aplikues.
9. Vlerësimi (Oponenca) i projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit, kryhet nga grupi i punës së Drejtorisë së Burimeve Minerale të Sh.Gj.Sh, pas kryerjes nga subjekti ose personi juridik aplikues të pagesës përkatëse sipas tarifave të miratuara.
10. Projekti i zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit, prezantohet dhe mbrohet nga drejtuesi teknik i punimeve në Drejtorinë e Burimeve Minerale dhe në Këshillin Teknik Shkencor të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Drejtuesi teknik i punimeve duhet të jetë inxhinier gjeolog i licencuar sipas VKM Nr. 441, datë 16.06.2011 “Për përcaktimin e kushteve të certifikimit e të licencimit, të dokumenteve shoqëruese, të afateve të vlefshmërisë dhe të procedurave të shqyrtimit të kërkesave, për licencimin e veprimtarisë studimore-projektuese në veprimtaritë minerare”.
11. Materiali grafik i projektit i zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit para shqyrtimit në Drejtorinë e Burimeve Minerale dhe miratimit në Këshillin Teknik Shkencor të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar duhet të dorëzohet nga subjekti i printuar në shkallë inxhinierike.
12. Subjektet që aplikojnë për leje minerare kërkim-zbulimi, bashkë me dosjen e dokumentacionit për leje minerare, janë të detyruar të deklarojnë me shkrim burimin ligjor të të gjithë informacionit gjeologjik apo gjeologo-minerar, të përdorur në ndërtimin e dokumentacionit aplikues (projektit teknik të kërkim-zbulimit).
Një subjekt mund të përfitojë njëkohësisht më shumë se një leje kërkim-zbulimi për zona të ndryshme të lejuara minerare.
Informacionet gjeologjike tremujore, vjetore dhe planet vjetore të punës:
a- Informacionet tremujore.
Çdo subjekt që zotëron një leje minerare kërkim-zbulimi është i detyruar të dorëzojë në Sh.Gj.Sh informacionin tremujor mbi veprimtarinë minerare të kërkim-zbulimit të kryer, sipas Urdhrave të Ministrit nr. 307 e nr. 309, datë 13.04.2011, në formatin e përshkruar në aneksin 1 të tij. Informacioni tremujor dorëzohet në Sh.Gj.Sh jo më vonë se data 15 e muajit vijues, për çdo tremujor. Mosrespektimi i kësaj kërkese ligjore dënohet me mase administrative gjobë prej 100 000 lekësh.
b- Informacionet vjetore.
Çdo subjekt që zotëron një leje minerare kërkim-zbulimi është i detyruar të dorëzojë në Sh.Gj.Sh informacionin vjetor mbi veprimtarinë minerare të kërkim-zbulimit të kryer sipas përcaktimeve të bëra në Urdhrin e Ministrit nr. 307 datë 13.04.2011, në formatin e përshkruar në aneksin 2 të tij. Informacioni vjetor dorëzohet në Sh.Gj.Sh jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i vitit përkatës. Mosrespektimi i kësaj kërkese ligjore dënohet me mase administrative gjobë prej 150 000 lekësh.
c- Planet vjetore të punës.
Çdo subjekt që zotëron një leje minerare kërkim-zbulimi është i detyruar të dorëzojë në Sh.Gj.Sh planin vjetor të punës për vitin pasardhës. Plani vjetor i punës duhet të jetë i harmonizuar me projektin e kërkim-zbulimit të miratuar mbi bazën e të cilit është dhënë leja, sipas përcaktimeve të bëra në Urdhrin e Ministrit nr. 307 datë 13.04.2011, në formatin e përshkruar në aneksin 3 të tij. Mosrespektimi i kësaj kërkese ligjore dënohet me mase administrative gjobë prej 250 000 lekësh.
Raportet gjeologjike që dorëzohen nga zotëruesi i lejes minerare të kërkim-zbulimit:
Çdo subjekt që zotëron një leje minerare kërkim-zbulimi në përfundim të afatit të miratuar të lejes, është i detyruar të dorëzojë në Sh.Gj.Sh raportin gjeologjik mbi veprimtarinë e kërkim-zbulimit të kryer. Subjekti mund të shndërrojë një pjesë të sipërfaqes së lejes së kërkim-zbulimit para afatit të përfundimit, ose në përfundim të saj, nëse ka realizuar punimet gjeologjike dhe investimet e miratuara.
1. Raporti gjeologjik përfundimtar ose pjesor i zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit në përfundim të afatit të lejes ose para afatit, përpilohet sipas kërkesave Urdhrave të Ministrit nr. 307 e nr. 309, datë 13.04.2011, aneksi 2. Raporti i paraqitur shoqërohet me fotokopje të faturave të shpenzimeve të raportuara. Mosrespektimi i kësaj kërkese ligjore dënohet me mase administrative gjobë prej 300000 lekësh.
2. Verifikimi në terren i punimeve minerare të kërkim-zbulimit të raportuara nga subjekti në raportin gjeologjik përfundimtar ose pjesor në përfundim të afatit të lejes ose para afatit, kryhet nga grupi i punës së Drejtorisë së Burimeve Minerale të Sh.Gj.Sh, pas kryerjes nga subjekti të pagesës përkatëse sipas tarifave të miratuara.
3. Vlerësimi (Oponenca) i raportit gjeologjik përfundimtar ose pjesor të zhvillimit të zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit në përfundim të afatit të lejes ose para afatit, kryhet nga grupi i punës së Drejtorisë së Burimeve Minerale të Sh.Gj.Sh, pas kryerjes nga subjekti të pagesës përkatëse sipas tarifave të miratuara.
4. Raporti gjeologjik përfundimtar ose pjesor i veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit i dorëzuar nga subjekti për shqyrtim e miratim në Sh.Gj.Sh në përfundim të afatit të lejes ose para afatit, prezantohet dhe mbrohet nga drejtuesi teknik i punimeve në Drejtorinë e Burimeve Minerale dhe në Këshillin Teknik Shkencor të Sh.Gj.Sh. Drejtuesi teknik i punimeve duhet të jetë inxhinier gjeolog i licencuar.
5. Materiali grafik i raporti gjeologjik përfundimtar ose pjesor i zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit para shqyrtimit në Drejtorinë e Burimeve Minerale dhe miratimit në Këshillin Teknik Shkencor të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar duhet të dorëzohet nga subjekti i printuar në shkallë inxhinierike.
Garancitë financiare për zhvillimin e veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit:
a- Garancia financiare për rehabilitimin e mjedisit.
Garancia financiare për rehabilitimin e mjedisit përllogaritet në vlerë monetare dhe përdoret nga zotëruesi i lejes ose shteti për realizimin e planit të rehabilitimit progresiv dhe përfundimtar të mjedisit (sipas përcaktimeve të ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010, neni 31). Garancia financiare depozitohet pas marrjes së lejes minerare çdo vit, në datën efektive të marrjes së lejes dhe vlera vjetore përcaktohet në bazë të vlerës së përgjithshme të garancisë financiare për realizimin e planit për rehabilitimin e mjedisit, të miratuar nga ministri, të viteve të jetëgjatësisë së lejes minerare. Vlera totale e garancisë financiare për rehabilitimin e mjedisit, rehabilitimin e sheshit të depozitimit të mbetjeve dhe realizimin e planit të aktiviteteve për mbylljen e veprimtarisë minerare vlerësohet nga struktura përgjegjëse (Sh.Gj.Sh) dhe miratohet nga ministri. Ajo përfshin garancinë financiare për mbylljen e veprimtarisë minerare, mbylljen e sheshit të depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin progresiv dhe përfundimtar të mjedisit.
b- Garancia financiare për realizimin e programit minimal të punës.
Garancia financiare për realizimin e programit minimal të punës përllogaritet në vlerë monetare dhe i kthehet zotëruesit të lejes pas realizimit të programit minimal të punës së lejes minerare të kërkim-zbulimit, në periudha kohore (sipas përcaktimeve të ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010, neni 31). Garancia financiare depozitohet çdo vit pas marrjes së lejes sipas dispozitave të këtij ligji. Kjo vlerë përcaktohet në bazë të veprimtarive minerare, që duhet të realizojë minimalisht çdo zotërues i lejes minerare të kërkim-zbulimit në programin minimal të punës, që është pjesë e projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare. Vlera e garancisë financiare për realizimin e programit minimal për lejet e kërkim-zbulimit vlerësohet nga struktura përgjegjëse (SHGJSH) dhe miratohet nga ministri.
c- Mënyra e llogaritjes së garancive financiare.
Mënyra e llogaritjes së garancive financiare për lejet minerare të kërkim-zbulimit bëhet sipas Udhëzimit të Ministrit nr. 718, datë 03.10.2011 “Për mënyrën e vlerësimit të garancive financiare të lejeve minerare”, aneksi 2 dhe aneksi 3.
d- Kthimi i garancive financiare.
Kthimi i garancive financiare për lejet minerare të kërkim-zbulimit bëhet në zbatim të VKM nr. 741, datë 09.09.2015 “Për miratimin e formës, rasteve të kthimit dhe mënyrës së llogaritjes të garancive financiare për rehabilitimin e mjedisit, për realizimin e programit minimal të punës dhe realizimin e investimit në veprimtarinë minerare”, pikat I dhe II.
Pagesa e sipërfaqes së mbajtur gjatë vitit të tretë të lejes apo zgjatje afati
Në fund të vitit të dytë zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit lë pjesë ose mban të gjithë sipërfaqen e zonës së tij të lejuar fillestare, me kushtin që për sipërfaqen e mbajtur, zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit duhet të paguajë një shumë që llogaritet për çdo kilometër katror të sipërfaqes së mbajtur për zhvillim veprimtarie minerare. Pagesa është 150 000 lekë për çdo kilometër katror. Zotëruesi i lejes minerare kërkim-zbulimit është i detyruar të kryejë pagesën e mësipërme në llogarinë përkatëse të Ministrisë përgjegjëse (MIE). Kjo shumë paguhet në datën efektive të fillimit të vitit të tretë të afatit të lejes së kërkim-zbulimit.
Gjatë çdo viti të zgjatjes së afatit, llogaritur me datën efektive të lejes, zotëruesi i lejes minerare kërkim-zbulimit është i detyruar të kryejë në llogarinë përkatëse të Ministrisë përgjegjëse (MIE) pagesën për sipërfaqen e mbajtur të zonës së lejuar minerare për periudhën e zgjatjes së afatit. Pagesa është 150 000 lekë për çdo kilometër katror.
PLANET MINERARE TË MIRATUARA
Planet minerare 3 vjeçare.
1. Plani minerar 3-vjeçar 2011-2014, miratuar me VKM nr. 347, datë 29.04.2011.
2. Shtesa dhe ndryshime të plani minerar 3-vjeçar 2011-2014, miratuar me VKM nr. 248, datë 2.05.2012.
3. Plani minerar 3-vjeçar 2016-2018, miratuar me VKM nr. 726, datë 2.09.2015.
4. Shtesa dhe ndryshime të plani minerar 3-vjeçar 2016-2018, miratuar me VKM nr. 751, datë 26.10.2016.
5. Plani minerar 3-vjeçar 2019-2021, miratuar me VKM nr. 664, datë 10.10.2019.
Planet minerare vjetore.
1. Plani minerar vjetor viti 2014, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 107, datë 10.03.2014.
2. Plani minerar vjetor viti 2015, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 63, datë 11.03.2015.
3. Plani minerar vjetor viti 2015 shtesa 1, miratuar me U. Ministrit nr. 96, datë 7.04.2015.
4. Plani minerar vjetor viti 2015 shtesa 2, miratuar me U. Ministrit nr. 186, datë 28.07.2015.
5. Plani minerar vjetor viti 2015 shtesa 3, miratuar me U. Ministrit nr. 308, datë 21.12.2015.
6. Plani minerar vjetor viti 2016, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 371, datë 09.11.2016.
7. Plani minerar vjetor viti 2017, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 129, datë 05.04.2017.
8. Plani minerar vjetor viti 2018, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 40, datë 12.01.2018.
9. Plani minerar vjetor viti 2018 shtesa 1, miratuar me U. Ministrit nr. 40/1, datë 21.06.2018.
10. Plani minerar vjetor viti 2019, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 441, datë 04.12.2019.
11. Plani minerar vjetor viti 2021, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 462, datë 22.12.2021.
12. Plani minerar vjetor viti 2022, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 157, datë 01.08.2022.
13. Plani minerar vjetor viti 2023, miratuar me Urdhrin e Ministrit nr. 287, datë 05.12.2022.
Përveç të dhënave të mësipërme për planet minerare trevjeçare dhe planeve minerare vjetor, për informacione të mëtejshme mund të aksesohet faqja web e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë: https://www.infrastruktura.gov.al/planifikimi-minerar/
PROCEDURAT KONKURUESE
Zhvillimi i procedurave konkurruese për zonat minerare të miratuara si të tilla në planin vjetor minerar bëhet në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë sipas përcaktimeve të VKM nr. 320, datë 21.4.2011 “Për miratimin e procedurave e të kritereve të konkurrimit dhe të afateve të shqyrtimit të kërkesave për marrjen e lejeve minerare në zonat konkurruese” ndryshuar me Vendim i KM_301_20.04.2016. Faqja web e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë https://www.infrastruktura.gov.al/procedurat-konkurruese-per-zonat-minerare/
LEJET MINERARE AKTIVE TË KËRKIM-ZBULIMIT
LEJET MINERARE AKTIVE TË KËRKIM ZBULIMIT.
Harta me lejet minerare (PDF)
1. Harta e lejeve minerare të kërkim-zbulimit
2. Harta e lejeve minerare të shfrytëzimit dhe kërkim-zbulimit